Analiza e audiencës dhe impakti i programeve edukative në televizion
- KSEMI
- Dec 5, 2024
- 5 min read

Nga Ervelinda Çupi.
Në një epokë ku informacioni është lehtësisht i arritshëm nëpërmjet mediave dhe pajisjeve dixhitale, televizionet po dështojnë në procesin e ofrimit të përmbajtjeve edukative dhe kulturore për audience televizive.
Platforma online është bërë një arkiv i madh me përmbajtje videosh dhe audiosh që shërbejnë edhe si materiale edukative dhe trajnimi për gjithçka, që nga gatimi, ekonomia dhe historia por jo vetëm, në forma të ndryshme është e bollshme dhe e lehtë për t'u gjetur, por prapë se prapë programet televizive duket se nuk arrijnë të tërheqin të njëjtën audiencë të dëshiruar. Përveç kësaj, orari i transmetimit të programeve edukative shpesh përkon me periudha që nuk janë optimale për audiencën e synuar. Kjo vendosje në orare të vona apo të papërshtatshme jo vetëm që kufizon shikueshmërinë por gjithashtu dëmton potencialin edukativ në tërësi.
Pse emisionet mbi edukimin kanë orar me shikueshmëri të ulët, krahasuar me emisionet që bëjnë më shumë “boom”?
Formatet e programeve janë të dizajnuara për të tërhequr vëmendjen e menjëhershme të shikuesit, duke u ngritur mbi bazën e elementeve konkurruese dhe lojërave. Një nga televizionet më të mëdha në vend, si një shembull i sotshëm ka standardizuar formatin e fundjavës së tij rreth një programi të vetëm që zgjat për gjashtë orë e gjysmë, duke demonstruar një fokus të qartë në audiencën masive dhe në të ardhurat nga reklama. Një program tjetër, në një televizion tjetër kombëtar, pavarësisht se ka si tematikë artin, duket se prioritet i tij kryesor është aspekti komercial, duke fokusuar më shumë në çmimet e veprave sesa në vlerën artistike dhe në promovimin e artistëve të rinj.
Kriteret e përzgjedhjes së veprave dhe artistëve duket se favorizojnë artistët me një karrierë të konsoliduar, duke lënë jashtë artistët e rinj dhe duke kufizuar diversitetin e ofertave artistike.
Problematikat që lidhen me programet edukative shpesh fillojnë nga prioriteti i audiencës dhe i reklamave. Kërkesa për audiencë të gjerë dhe për të gjeneruar të ardhura nga reklamat i shtyn televizionet të fokusohen në formate të thjeshta dhe argëtuese duke lënë pak hapësirë për programe më komplekse si ato kulturore.
Stafi i përfshirë në prodhimin e programeve kulturore mund të mos ketë njohuritë e nevojshme për të krijuar programe të cilësisë së lartë.
Emisionet televizive që kanë në fokusin e tyre kulturën janë në një rrjedhë të atillë saqë mund të themi se kanë rënë në kolaps, pasi mediat sociale kanë zënë një vend me themele të forta. Sot në këtë epokë që po jetojmë njerzit priren të konsumojnë një kulturë të servirur shpejt dhe lehtë.
Është një fenomen pa fajtor por duhet të kuptojmë se disa persona mund të kenë pasur përvoja negative në këto organizime kulturore dhe hezitojnë të marrin pjesë sërish.
Ekziston edhe një mendim i kohëve të fundit, shqetësues për vendin tone, ku pjesa më e madhe e të rinjve shprehin se edukimi është i panevojshëm për jetën e tyre të përditshme.
Shumë të rinjë besojnë se edukimi që kanë marrë në shkolla është i mjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për përsëritje. Megjithatë vlera e të edukuarit nuk kuptohet derisa ata të përballen me pasojat e mungesës së saj në të ardhmen e tyre.
Lidhur me pyetjen se i kujt është faji, i audiencës apo i televizionit, mendoj se faji është i ndërsjellë pasi varet edhe nga mosha, edukimi, statusi i individit që ndikon në mënyrën sesi individi angazhohet në marrëdhënie me kulturën dhe përftimin e saj.
Është një pjesë e shoqërisë që pas një jetë të ngjeshur me punë,shkollë apo angazhime të tjera jetësore, ndjek Netflix ku përmbajtja kulturore është më e pakët.
Po përgjegjësit e televizioneve mund të kenë faj për mos ndjekjen e kësaj audience krahas këtyre emisioneve? Sigurisht që televizionet luajnë një rol të rëndësishëm në tërheqjen e shikuesve përmes marketingut të duhur. Nëse emisioni është i organizuar në tri orë, më së paku 1 orë e gjysmë është vetëm reklama nëse mund të bëjmë një llogaritje të shpejtë. Askush duket se nuk është i vetëdijshëm se marketingu i tepruar dëmton, duke bërë që programet kulturore dhe edukative të mbeten jashtë vëmendjes së publikut. Krijimi i një prezence të fortë në rrjetet sociale për të promovuar programet dhe për të ndërvepruar me audiencën do të ishte një nga zgjidhjet efikase.
Nga ana tjetër duhet të ketë më shumë partneritet me influencerët. Bashkëpunimi me figura të njohura në mediat sociale për të promovuar programet do të ishte efikase. Rrugëzgjidhje të tjera efikase mund të ishin:
- Edukimi i audiencës duke organizuar aktivitete dhe seminare për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e kulturës dhe të edukimit.
- Bashkëpunimi me shkollat, krijimi i programeve edukative në shkolla për të nxitur interesin e të rinjve për kulturë.
-Investimet në prodhimin e programeve me cilësi të lartë, duke përfshirë regjisorë, skenaristë dhe prezantues të talentuar.
Mos vallë programet kulturore po organizohen vit pas viti mbi bazën e tradicionales dhe po mungojnë elementë të modernitetit?
Nuk është çudi që shoqëria shqiptare ti shmangë programe të tilla ku emisione të historisë janë zhdukur pothuajse plotësisht.
Njerëzit që promovojnë edukimin duhet të shpjegojnë bukurinë dhe fuqinë e kulturës si dhe rëndësinë e saj. Shkrimtarët, artistët duhet të dalin më shpesh në emisione ku të mësojnë në mënyrë praktike si të komunikojnë në mënyrë efektive duke shmangur historitë e tyre personale.
A ka aq fuqi një program saqë të mësojë audiencën? Sigurisht që po pasi ky fakt konkretizohet me zhvillimet në vitet 2000-2010 ku masa më e madhe e popullsisë shikonin telenovela në gjuhën italiane gjë që solli mes të tjerash edhe përftimin e menjëhershëm të kësaj gjuhe nga popullata.
Krahas të metave të televizoneve, njw pwrgjegjwsi duhet kwrkuar edhe tek individët, familja dhe shoqwria. Edukimi i ka rrënjët e thella që në vogëli. Për shembull, në shkollën fillore prindërit priren që t’i dërgojnë fëmijët e tyre tek një mësues me shpirt udhëheqësi, i rreptë dhe kërkues për shkak të karakterit prej dembeli të fëmijës. Edukimi bën një rrugë të shpejtë dhe të pakuptueshme në jetën e secilit individ duke ia hedhur fajin tjetrit si përshembull familja thotë se institucionet arsimore kanë për detyrë edukimin ndërsa institucionet thonë se fëmijët duhet të kishin ardhur me një kulturë të formuar familjare.
Ndjekësit e mediave moderne shpesh e perceptojnë ndjekjen e dokumentarëve si një aktivitet të papëlqyeshëm dhe jo të kohës.
Mos vallë sot, si shoqëri, jemi një pasqyrë e Dorian Gray-it? A po përpiqemi të mbajmë një iluzion të rinisë dhe bukurisë sonë të mëparshme, duke u gënjyer pas portretit që kemi krijuar për veten në rrjete sociale?
A janë të rinjtë më të painteresuar për të mësuar se në vitin 1600 pas Krishtit? Unë nuk mendoj kështu. Konteksti i informacionit dhe i prezantimit ka ndryshuar. Kur një i ri sheh vlerë, veçanërisht vlerë të menjëhershme në të mësuar, ai është shumë i interesuar. Kur materiali themelor nuk lidhet qartë me një qëllim përfundimtar, është i mërzitshëm. "Do ta mësoj kur të më duhet" është një shprehje që ata përdorin në fjalorin e tyre të përditshmërisë.
Studentët nga ana tjetër mund të jenë të uritur për njohuri por le ta pranojmë se ata lodhen në leksione. Për të përmirësuar situatën, është e nevojshme një përpjekje e përbashkët e televizioneve, institucioneve publike, shoqërisë civile dhe çdo individ. Duke rinovuar formatet e programeve, duke investuar në marketing dhe duke ndryshuar perceptimin e publikut, mund të krijohet një vend më i mirë dhe më atraktiv për audiencën.
Comments