top of page
Logo-KSEMI-transparent-bardhe.png

Deepfake & Inteligjenca artificiale

  • Writer: KSEMI
    KSEMI
  • Feb 22
  • 3 min read


Nga Florian Qehaja.



Lajmet e rreme (dezinformimi) janë ndër fenomenet më të përhapura mediatike dhe në rrjetet komunikative, ndikimi i të cilave, me zhvillimet paralele teknologjike, është rritur ndjeshëm.


Çfarë është një lajm i rremë?


Lajmi i rremë ose fenomeni i dezinformimit është paraqitja e një informacioni jo të saktë, nisur nga qëllime konkrete të gjeneruesit të tij (atij që e bën lajmin), me objektiv marrësin e këtij lajmi, ndikimin e opinionit publik etj., për arsye përfitimi (në kuptim të drejtpërdrejtë, por edhe gjithpërfshirës të kësaj fjale) mediatik (shikueshmëri), politik (polarizim opinioni nisur nga fakte të pavërteta), ekonomik etj.


Si fenomen, lajmi i rremë ose dezinformimi fillesat i ka përtej epokës digjitale, ngaqë shtrembërim të së vërtetës ka pasur gjithnjë, nisur nga përfitime dhe qëllime të caktuara, pavarësisht formatit mediatik transmetues. Kujtojmë gazetat dhe periodikët në fillesat e tyre në shekujt 18–19, të cilat ishin “fushëbeteja” polemikash politike, ideologjike dhe deri personale midis subjekteve individuale, të cilët, siç thamë më lart, shtrembërimin e së vërtetës në kuadër të qëllimeve dhe interesave që mbulonin, e praktikonin dendur.


Mjafton të sjellim ndërmend përshkrimin që autori i madh francez Honoré de Balzac, në veprën e tij të pavdekshme “Iluzionet e humbura”, i bën shoqërive gazetareske dhe fenomenit të shtrembërimit të së vërtetës, si dhe mbi të gjitha ndikimit të saj në shoqërinë e kohës dhe individin.


Këtu zë fill edhe problemi për ne, marrësit e lajmit, por njëkohësisht edhe epërsia që ka lajmi i rremë: përhapja dhe ngulitja në opinionin e masës, çka dihet që nga Aristoteli se e vërtetdukshmja në masë është më e pëlqyer nga opinioni.


Ne jemi të prirur, si qenie, që besimin tonë ndaj diçkaje ta polarizojmë te përvoja kolektive, fenomen i cili psikanaliza e turmës (Sigmund Freud) e përcakton qartë, duke bërë që lajmi i rremë i përthithur në masë të shndërrohet në një potencial përthithës opinionesh, ku përqindja e refuzuesve ndaj tij të jetë e kufizuar.


Pamundësia për të provuar vërtetësinë e lajmit të rremë është disfavori tjetër i yni dhe përparësia, po ashtu, e lajmit të rremë në ndikimin e opinionit kolektiv. Me pamundësi të vërtetimit i referohemi thjesht faktit që, nisur nga përvojat e përditshme si njerëz të thjeshtë, konsumatorë të lajmit, nuk mund t’i bëjmë detektivin çdo lajmi që përthithim me qëllim provimin e vërtetësisë; flasim për ato raste në të cilat intuita jonë dështon në përkapjen e aty për atyshme, ndaj ne thjesht ekspozohemi për t’i marrë në konsideratë.


Me zhvillimin e teknologjisë, kanaleve të komunikimit masiv dhe bërjes lehtësisht të aksesueshme të informimit kudo dhe kurdo, edhe fenomeni i dezinformimit është rritur në mënyrë eksponenciale, duke e shumëfishuar efektin e faktorëve të mësipërm. Përhapja më e shpejtë e lajmit, si dhe sofistikimi i mënyrave për të shtrembëruar informacionin, e kanë ekspozuar më shumë marrësin ndaj lajmeve të rreme.


Një nga sofistikimet më efektive është edhe “deepfake”, i gjeneruar nga inteligjenca artificiale.


Çfarë është “deepfake”?


Që nga leksema e përbërë: Deep (i thellë) dhe Fake (i/e rremë), kuptojmë se kemi të bëjmë me një të rremë të sofistikuar. Deepfake pra janë foto, video, montazhe të cilat i afrohen shumë imitimit të realitetit, duke e bërë gjithashtu edhe përmbajtjen më të besueshme, të gjitha këto me ndihmën e inteligjencës artificiale.


Informacioni i rremë, më shumë se kurrë, përforcohet me përparësinë e përmendur tashmë sa i takon raportit me publikun dhe vështirësisë për të provuar të vërtetën.


Fjala vjen, si mund ta vërtetojmë ne një foto të montuar, e cila përhapet nisur edhe nga përmbajtje që përbën lajm të rremë, nëse është ose jo e tillë, përveç rasteve kur lehtësisht dhe në mënyrë intuitive aty për aty e kapim? Për raste të avancuara, kur IA gjeneron materiale të tilla, është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Një pikë më tepër në përfitim të përthithshmërisë së lajmit të rremë.


Por lind pyetja: si mund të mbrohemi nga lajme të rreme të një forme të tillë?


Gjithmonë hapi i parë është evidentimi i burimit të shpërndarjes së lajmit. Nëse formati është ose jo serioz, bën diferencim sa i takon dallimit mes lajmit të rremë dhe atij të vërtetë.


Përmbajtja e tij, gjithashtu, e cila mund të verifikohet nisur edhe nga përhapja në rrjet dhe përmendja nga formate po ashtu serioze, është faktor që na vjen në ndihmë. Gjithashtu, në rastet kur mund të evidentohet ndërhyrja e IA-së në materialin foto ose video, kjo lehtësisht na ndihmon në ruajtjen ndaj lajmit të rremë që përhapet.


Pra, si përfundim, dezinformimi është fenomen që na ekspozon në përthithjen e informacionit të rremë, në çfarëdo lloj forme që ai na vjen, në rastin tonë si deepfake, nga i cili hapi më efektiv dhe parësor për t’u mbrojtur është skepticizmi dhe verifikimi, sado sipërfaqësor, por me vlerë.


Mos të harrojmë se e pavërteta, sado e kamufluar, thjesht nga ekzistenca e të kundërtës së saj (e vërteta, të cilën e pranojmë ose jo), bie jo vetëm nga prova, por si fillim nga dyshimi ndaj saj.

Comments


bottom of page