Lajmi, si (/a) ka evoluar shpërndarja e tij deri në ditët e sotme?
- KSEMI

- Feb 23
- 3 min read

Nga Kledi Bukaçi.
Lajmi, si (/a) ka evoluar shpërndarja e tij deri në ditët e sotme?
Për të zbuluar filozofinë e shpërndarjes së lajmit, mendimi i përgjithshëm, ndoshta edhe “i palimuar”, do të sugjeronte dy rrugë kryesore për zbërthimin e saj. E para do të ishte studimi i shpërndarjes së lajmit sot; e dyta, studimi i shpërndarjes së lajmit që në gjenezë dhe udhës së tij deri në periudhën moderne. Padyshim që e dyta do të ishte më afër zbulimit të asaj çfarë është lajmi në vetvete, por po ta shihnim në një perspektivë tjetër, ndoshta më shumë si “strukturë”, të dyja mënyrat do të ishte e volitshme t’i përdornim si mjete për të arritur diku, të paktën me shpresën për të krijuar një përkufizim.
Për ta abstraguar mendimin, me idenë për ta ngritur lart diskursin, në radhë të parë do të hedh një ose disa pikëpyetje derivate dhe integrale të njëra-tjetrës, për vete dhe për të gjithë ju.
Themeli i shpërndarjes së lajmit: është e vërteta a është “rrena”?
Për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje, do të kisha dëshirë të merreshim me ngrehinën. Patjetër që për t’u marrë me ngrehinën do të na duhet eksperienca dhe historia, por këtë radhë do të mundohemi t’i “fshehim” nën shpjegim.
Pa u futur në labirinthe që mund të duken sikur kanë dritë në fund të tyre, por që mund të jenë “qorrsokakë”, por ndoshta edhe nga droja e mosarritjes në një përfundim për shkak të paaftësisë logjike për shpjegimin e koncepteve “mbilogjike”, dhe pse ndoshta të kuptueshme në mënyrë ndjesore, do të thoja se do të ishte e pamundur të kuptonim themelin e shpërndarjes së lajmit pa thënë që, në të vërtetë, shpërndarja e lajmit nuk është vetëm një “ndërtesë”, por janë të paktën dy ndërtesa me themelet dhe ngrehinat e tyre (gjë që e bën më të vështirë objektivin tonë): “lajmdhënësi” dhe “lajmmarrësi”.
Vërtetësia e lajmit (në kuptimin e asaj që është thënë, jo e asaj që është ideuar) do të ishte praktikisht “e vërtetkuptueshme” nëse lajmdhënësi do t’ia përcillte lajmin drejtpërdrejt lajmmarrësit dhe, padyshim, nuk do të na merrte kohë për “detyrime dëshirore dhe profesionale” të tilla. Por situata bëhet interesante kur në lojë futen koha dhe hapësira. Këtu, ajo që triumfon nuk është më e vërteta apo “rrena” e lajmit; këtu bie e gjithë idealja platonike që ne kemi dëshirë ta mbajmë si të shenjtë për konceptet. Për fat të keq apo të mirë, ajo që triumfon është shpejtësia e lajmit. Nuk ka më rëndësi nëse themeli i një lajmi është e vërteta apo “rrena”; rëndësi ka nëse lajmi është i shpejtë apo jo. Atëherë, pse duhet të shkojmë më tej në zbulimin e pikëpyetjeve që janë shtruar me qëllim gjatë tekstit, kur vërtetësia nuk është ajo që një marrës përfton, por shpejtësia është ajo që ai në të vërtetë konsumon? Është e painteresueshme.
Për t’ju përgjigjur pyetjes së fillimit: shpërndarja e lajmit, strukturalisht, është e pandryshuar dhe madje e paevoluar. Ajo çfarë ka ndryshuar në të është vetëm mjeti; pra baza e shpërndarjes është e njëjtë: forma e evolueshme, struktura e paevolueshme dhe shpejtësia si armik i vërtetësisë së saj.
“If you don’t read the news, you are uninformed; if you read the news, you are misinformed. The effect of information is not to be true but to be first, unfortunately.” - Denzel Washington

Comments