top of page
Logo-KSEMI-transparent-bardhe.png

Legjitimiteti i modeleve të TikTok-ut si figura publike në media

  • Writer: KSEMI
    KSEMI
  • Dec 5, 2024
  • 3 min read


Nga Iliada Murataj.


Modeli është ai çfarë një qenie njerëzore ushqehet dhe kërkon të përvetësojë, qoftë në mënyrë të vetëdijshme apo jo. Mediat televizive tashmë promovojnë të tillë personazhe, të cilët nuk kanë se çfarë të sjellin me vlerë në fund të fundit. Do të thoja se në sytë dhe mendjen e shumë të rinjve rrotullohen mijëra pyetje dhe dëshira për të qenë si ata: për të zhdukur atë çfarë janë dhe për të qenë aty ku ata janë.


Në shumë prej diskutimeve televizive, këto figura ftohen për të sjellë përfitime ndaj vetë televizionit, pa menduar aspak për ndikimin që kanë tek shikuesit e çfarëdolloj moshe. Madje, në diskutime të fundit në Top Channel, “shtëpiza e dytë e shqiptarëve,” nëse i referohemi disa viteve më parë, ka ndryshuar gjithçka. Dikur, kualifikimi, përzgjedhja dhe përfaqësimi i emisioneve ishte në një nivel të konsiderueshëm. Ndërsa tani, të ndiqesh në një rrjet social mjafton për të krijuar një figurë publike, madje edhe mediatike, pa marrë parasysh se çfarë ke bërë apo ke dhënë.


Nëse rrjeti social TikTok është i dëmshëm, pasi nuk përdoret në mënyrën e duhur nga individë të rrethuar nga dëshira e madhe për para dhe që realizojnë gjithçka për këtë qëllim, përse u jepet hapësirë, vëmendje dhe kohë televizive? Dhe kjo, madje, nga gazetarë që kanë një bagazh të konsiderueshëm profesional dhe shumë vite përvojë në televizion.

Në çdo përballje mbi këto modele, janë po këta gazetarë që iu kanë dhënë më shumë zë dhe shpesh i mbrojnë me një qëndrim agresiv ndaj kritikave. Përse vlen kjo mbrojtje, kur e gjithë situata shihet qoftë edhe nga ata të paktë shikues? Kjo duke qënë se numri po vjen edhe po ulet. A nuk mund të kuptojnë se vlera dhe shikueshmëria e një televizioni nuk arrihet në këtë mënyrë?


Kjo zhurmë shkakton ndrydhje të karakterit të një të riu, i cili përpiqet të ndjekë një rrugë shkollimi dhe profesioni për të siguruar të ardhura dhe një jetë të mirë, por që në fund nuk arrin të jetojë si këta personazhe.


Ja çfarë ndodh tek një i ri nën petkun e një vorbulle sociale si Tik-Tok :


1.      Humbja e lidhjes me realitetin

Një manipulim i cili krijon pritshmëri të gabuara për jetën dhe marrëdhëniet, duke larguar individët nga realiteti dhe përvojat e vërteta.


2.      Ndikimi në shëndetin mendor

Studimet kanë treguar se përdorimi i tepruar i mediave sociale lidhet me rritjen e niveleve të ankthit, depresionit dhe ndjenjave të vetmisë. Të rinjtë, të ndikuar nga “jeta perfekte” që shohin, shpesh ndihen të izoluar dhe të pakënaqur me jetën e tyre.


3.      Nxitja e një shoqërie të fokusuar tek dukja dhe përfitimet afatshkurtra

Promovimi i personazheve që bazohen në dukje dhe famë të shpejtë i mëson të rinjtë se përpjekja dhe vlerat morale nuk kanë më rëndësi. Kjo krijon një shoqëri që përqafon rrugët e shkurtra dhe përfitimet e shpejta, duke u larguar nga parimet e forta të punës dhe edukimit.

4.      Rritja e ankthit social dhe presionit për t’u përshtatur

Përballja me një standard të paarritshëm bukurie, pasurie dhe popullariteti krijon presion të madh tek të rinjtë. Ata përpiqen të ndjekin këto standarde të manipuluara, duke ndjerë shpeshherë mungesë të identitetit dhe vetëvlerësimit.


Absurditeti i situatës


A janë figurat e TikTok-ut të përshtatshme për të folur mbi çështje të rëndësishme shoqërore apo për të promovuar kauza?


Përpos mungesës së kompetencës, këto “personazhe” indoktrinojnë vlera të rreme, pasqyrojnë një jetë luksoze dhe përfitojnë shuma të mëdha falë ndjekësve, të cilët joshen nga ajo që duket “magjike.” Si mund të flasin për çështje shoqërore, kur ata vetë janë pika qendrore e deformimit mendor të shoqërisë?


Duke ftuar dhe promovuar figura të kontestuara, mediat jo vetëm që rrisin audiencën e tyre, por edhe u japin më shumë legjitimitet këtyre personazheve.


Është e domosdoshme të ndalen modele të tilla, duke mos iu dhënë dorë e mundësi për të përfituar nga individët dhe mediat në sajë të një publiku të gjerë, i cili ushqehet me këto modele dhe nuk e ka aspak të lehtë t’i shmanget.


Një thirrje e drejtpërdrejtë për ndryshim: Gazetarë, mbështesni aspekte më të rëndësishme dhe të dobishme! Ndihmoni duke dënuar këta shembuj të dëmshëm për të rinjtë e sotëm. Reflektoni dhe promovoni vlera në interes të të gjithëve! Mediat kanë fuqinë të ndikojnë në formimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe të ndërgjegjshme. Është koha për të përdorur këtë përgjegjësi tuajën!

Comments


bottom of page