LETËRSIA DHE WEB-I
- KSEMI

- Mar 21, 2025
- 2 min read

Në vijim të aktiviteteve të planifikuara brenda kuadrit të projektit, më datën 20.03.2025 u organizua një tjetër takim me studentë të interesuar për të njohur veprimtarinë e Klubit Studentor për Edukimin për Median dhe Informacionin (KSEMI). Ky aktivitet pati si fokus të tij lidhjen e Letërsisë me Web-in.
Takimi nisi me një prezantim mbi ecurinë e klubit dhe përhapjen e tij në radhët e studentëve, duke theksuar rëndësinë e masivizimit dhe angazhimit të tyre në këtë iniciativë. Pas kësaj, pjesëmarrësit u njohën më në detaje me disa çështje të rëndësishme lidhur me informacionin e njëanshëm, të rremë dhe të vërtetë, duke u angazhuar në diskutime me bordin themelues për të ngritur problematika dhe sugjeruar alternativa zgjidhjeje.
Pjesëmarrësit gjithashtu morën pjesë në lojëra dhe kuize, që e bënë takimin më interaktiv dhe efektiv, duke ndihmuar ata të kuptonin rëndësinë e njohurive mediatike përmes tre shtyllave kryesore të saj.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i takimit ishte prezantimi i lidhjes mes letërsisë dhe teknologjisë. U fol për poezinë dixhitale dhe filmin e animuar, duke shpjeguar sesi mund të përdoret media për të pasuruar letërsinë dhe për të hapur mundësi të reja në fushat e tjera të krijimtarisë.
Në fund, u shpërndanë certifikatat për pjesëmarrësit dhe takimi u mbyll me një reflektim të secilit në bllokun e klubit. Ky takim shërbeu si një hap i parë për njohjen e KSEMI-it nga ana e studentëve dhe për zgjerimin e tij në çdo degë studimi, duke përfshirë edhe studentë nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tiranës.
Ky aktivitet theksoi rëndësinë e përfshirjes së studentëve në aktivitete që bashkojnë letërsinë, median dhe teknologjinë, duke i ofruar mundësi për zhvillim dhe shkëmbim idesh.




Comments