top of page
Logo-KSEMI-transparent-bardhe.png

Rregullat e një morali që vlejnë vetëm për një gjini: peng i së shkuarës apo nxitje nga imazhet e "gabuara" mediatike

  • Writer: KSEMI
    KSEMI
  • Dec 5, 2024
  • 3 min read


Nga Ester Ponde.


Sa herë ju ka ndodhur që, në videon e një vajze që ekspozon jetën e saj në një darkë me shoqet ose në një klub duke ndjekur këngëtarin e preferuar, të gjesh komente të tilla si: "Më mirë të marr djalin nga burgu sesa vajzën nga klubi si puna e kësaj. Kjo mund të jetë kushdo, unë që po e shkruaj dhe mbase edhe ti që po e lexon." Po çfarë i nxit këto mendime? Mund të thuhet me të drejtë se e shkuara ka sjellë në të tashmen këto mendime, ashtu si një shishe që lundron në det me një mesazh brenda saj pas një stuhie.


Por këto mendime nuk shfaqen vetëm te moshat e vjetra, por edhe tek brezi i ri, të cilin e quajnë dhe "të ardhmen e një vendi". E nëse e reja ngelet peng i së shkuarës, sa ndryshime mund të sjellë ajo? Nëse një lule nuk merr rrezet e diellit, përse duhet të ankohemi se ajo nuk ka çelur?


Për tu kthyer te tema kryesore, për gjatë shekujve, imazhi i femrave dhe meshkujve nuk ka qenë  kurrë në të njëjtën shkallë, por unë nuk do të ndalem këtu, sepse është një temë mjaft e gjerë që kërkon kohën e saj për t'u trajtuar, të cilën sot e kemi të dedikuar krejtësisht në një qasje tjetër: morali që i vishet gjinisë. Nëse diçka nga ana morale është e gabuar, përse vlen vetëm nën petkun e një femre? Nëse femrës i është veshur delikatesa dhe mençuria si virtyte që duhet ti ruajë, a nuk është dhe burrnia, besnikëria dhe respekti virtyte që meshkujt duhet ti ruajnë, njësoj si besa që jep shqiptari?


Sot do ndalem pikërisht tek një nga ato që është kthyer në fuqinë e njëkohësisht në atë që po e shkatërron këtë shoqëri: rrjetet sociale dhe televizionet të cilat  janë si vera e vjetër; një gotë nuk të bën kurrë keq, por shumë mund të të bëjnë të alkolizuar, e ndoshta edhe të varur nga ato.


Televizioni duket sikur ndjen një konkurrencë nga rrjetet sociale, dhe duke mos e luftuar dot, bëhet palë me të. Por si po ndodh kjo, mund të pyesë dikush me të drejtë? Personazhe që bëhen viral në rrjete si TikTok ose Instagram, duke sikur kanë një portë të hapur në botën e televizionit, që dikur do të ishte e vështirë, madje edhe e pamundur. Kaq mjafton që  ato të kthehen në modele sidomos te moshat e vogla që i ndjekin me pasion. Por nëse janë vajza, morali i tyre diskutohet mjaftueshëm. Ato janë pa barriera, të lira në veprimet e tyre dhe të shtrenjta në veshje, ndërsa sytë që i vështrojnë dhe i kritikojnë janë të parët që i fajësojnë për çdo model të papërshtatshëm: "Kjo që ka dalë me këtë veshje, është nxitur nga ato që ndjek  në televizor apo Tik Tok dhe frekuenton jetën e natës”.


Të gjitha këto sjellin irritim tek gjinia tjetër, por është kjo e fundit që paguan dhe mbush xhepin e shumë vajzave, si në rastin e Sophia Rain, e cila fitonte deri në 4.000.000 lekë në muaj. Kur paguhet për vajza që ekspozojnë jetën e tyre, ndoshta edhe më shumë se ato që përmenda, pse ky revoltim? A duhet t’i vihet një nofkë e keqe dikujt vetëm se është femër dhe dëshiron të jetojë, të festojë?


E dimë shumë mirë se ndonjëherë TikTok dhe Instagram ndikojnë për keq, dhe ne e kemi pranuar si shoqëri. Por jo domosdoshmërisht çdo lëvizje dhe postim duhet të jetë si një sinjal që të shkaktojë këtë lloj urrejtjeje dhe, mbi të gjitha, mendimet e gabuara, të cilat po e dëmtojnë shoqërinë.


Kujtohemi për këto dëme vetëm kur ka viktima, që mund të mbushim sheshet dhe të themi "Ne protestuam", por edhe kjo nuk po jep rezultate, për fat të keq. Sepse një shoqëri nuk mund të rritet dhe ushqehet me protestën që bëhet për 2-3 ditë, por me edukatën dhe atë që lëmë për brezat.


Morali nuk ka nevojë për gjini; njësoj si çdo mashkull, nuk ka pse ushqehet me idenë se burrëria e tij ka të bëjë me gjëra që mund ta çojnë pas hekurave. Mund ta marrësh djalin nga burgu, por asnjëherë nuk do të jesh krenar. Vajza mund të vijë nga klubi dhe të jetë po aq e moralshme, madje edhe më shumë se ata që po predikojnë të kundërtën. Ndaj, mos ti bëjmë vajzat të keqija, për të mos thënë se e shkruajta këtë nga aspekti i një vajze duke i mbajtur me hatër. Le të theksojmë se morali ngelet në xhepin e kujtdo: veprimet, sidomos ato që përkthehen me burg, mund të prekin dhe të pafajshmit. Në përfundim, përse të mos i ndërrojmë rolet? Ndoshta kështu e kuptojmë më mirë njeri-tjetrin. "Më mirë të marrim vajzën nga burgu sesa djalin nga klubi???”

Comments


bottom of page