Rrjetet sociale, “demoni” i bashkëkohësisë
- KSEMI
- Dec 5, 2024
- 6 min read

Nga Anisa Krasniqi.
Mediatizimi i jetës së përditshme ka sjellë një situatë ku mediat, sidomos ato sociale, po simulojnë gjithnjë e më shumë forma të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore. Simulime të tilla, shfaqen si një lloj repertori i ndërlikuar i praktikave të medias, të cilat krijojnë probleme të reja si dhe përforcojnë ato të vjetrat.
Rastet e marra në shqyrtim do të sjellin në vëmendje disa ngjarje ekstreme, tek të cilat rrjetet sociale shfaqen vendimtare në zhvillimin e akteve vetëvrasëse dhe kriminale tek adoleshentët.
Së pari, do t’i referohemi vrasjes së fundit të fëmijës 14 vjeçar Martin Cani, rast ky i cili ka kaluar në një proces deri sa arriti në finalizimin e aktit. Nuk do t’i qasemi evidentimit të personave që kanë marrë pjesë në këtë ndodhi, por dukurisë prej së cilës kanë ardhur të gjitha ngjarjet e mëpasme. Thika marshetë, elektroshoku, dorezat e hekurit, spray me piper neuroparalizues, të mbajtura nga fëmijët në shkolla e kanë burimin nga një faqe e re online, e cila nuk ka një rregullator për kategorizimin moshor.
Ky moment është përcaktues, për vetë faktin se kur një adoleshent bën një blerje të tillë, automatikisht nis të krijojë të gjithë aktin e veprimit, pra në këtë rast vrasjen me paramendim. Më pas konflikti përforcohet në kanalin e komunikimit në njerin prej rrjeteve sociale, duke çuar në dhunë psikologjike nëpërmjet kërcënimeve apo ofendimeve, të cilat vijnë si premisë e mjedisit që këto rrjete sociale ofrojnë.
Një dukuri tjetër që zhvillohet paralelisht në rrjetet sociale është edhe vetëvrasja. Rasti në fjalë lidhet sërish me një adoleshent, por këtë herë në një tjetër vendosje. Adoleshenti i ndikuar dhe në varësi të një “loje” virale në Tik Tok, e cila lidhej me varjen në litar, arrin që gjatë një video-live-i me mijëra njerëz të pranishëm virtualisht, varet në litar për të treguar si dhe për të tentuar që ai të bëhet versioni më i mirë i imitimit të kësaj loje, sposton karrigen nga ku mbante këmbët dhe vdes, duke qenë plotësisht i pavetëdijshëm, kjo për faktin se ai gjendej prezent në një tjetër botë, në atë virtuale.
Paralelizmi mes këtyre dy botëve, asaj virtuale dhe realitetit, është i dukshëm edhe në përditshmërinë e çdo fëmije. Kur fëmijët luajnë në lojrat e tyre elektronike prindi e ka shumë të vështirë të tërheqë vëmendjen e tij për të kryer një tjetër aktivitet, kjo sepse dalja më pas në realitet kërkon një kohë të konsiderueshme, për të kuptuar se thika apo armë të tjera që ai përdor në një video game, nuk janë më thjesht një mjet loje, por shfaqen si diçka konkrete, pra reale.
Është ky karremi virtual që automatikisht ul ndjeshëm empatinë, për faktin se ata personifikohen tashmë me personazhet e video lojrave dhe projektojnë të jenë fitues edhe në realitet.
Një tjetër ngjarje është edhe helmimi i Denisit në SHBA, i cili ishte nga ata djem model, që sakrifikonte orët e vona të natës për të fituar më pas të drejtën për të studiuar në një kolegj privat të shtrenjtë, nga ku dekani i atij kolegji u impresionua nga sensi i tij i të jetuarit, sepse brenda tij ngërtheheshin pasione, dëshira dhe një mirësi e jashtëzakonshme për të ndihmuar të tjerët. Por në datëlindjen e tij ai helmohet nga shoku i tij i ngushtë, i cili vazhdimisht ishte në kërkim të pilulave online për të patur një performance më të mirë në mësime. Pas helmimit Denisi xhirohet dhe tallet duke u filmuar dhe nxjerrë më pas në rrjete sociale për të treguar efektin e pilulave dhe gjendjen e tij.
Pasi videot u bënë virale në të gjitha rrjetet sociale, “miqtë”e tij tentuan t’i fshinin, por njëra prej shoqeve të Denisit arrin t’i ruajë këto video duke i çuar menjëherë në polici dhe duke bërë që prindërit e tij ta fitonin si çështje ligjore. Së pari, videoja ishte hedhur në Snap Chat, ku, siç konstatonte shoqja e tij ajo video kishte qëndruar aty me orë të tëra dhe askush nuk kishte bërë asgjë. Të gjitha komentet referuar videos kishin nota humori dhe talljeje për gjëndjen e të riut, i cili ishte në minutat e fundit të jetës.
Ajo gjithashtu u shpreh se bërja publike e kësaj videoje dhe dërgimi i menjëhershëm në polici, u bë për të treguar se duhet bërë dallimi mes të dukurit bukur në rrjetet sociale duke tallur dhe bullizuar tjetrin dhe të qenurit një mik i vërtetë.
Kjo vrasje e gërshetuar me të qenurit “cool” në rrjetet sociale na çon edhe në një pistë tjetër, ndihmesa që ofrojnë klube të ndryshme organizative me tematika të caktuara në shkolla dhe jo vetëm, në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi të nxjerrin të gjithë negativitetin, lodhjen apo streset e ditës dhe në këtë mënyrë duke u bërë një element favorizues edhe në shoqëri.
Të gjitha viktimat e vrara, kanë qenë individë të angazhuar në klube sportive, dramatike, letrare, trajnuese dhe nuk janë shfaqur asnjëherë si steriotipa problematikë nga analizat pedagogjike, fakt ky që bie ndesh në rastin e individëve që kryejnë këto akte. Çfarë ndodh?
Tre aktorët kryesorë në procesin e edukimit të një adoleshenti, siç janë prindi, mësuesit dhe autoritetet, nuk arrijnë të kuptojnë plotësisht mënyrën e të menduarit të një adoleshenti.
Si mund të parandalohet ky moskuptim nga këta tre aktorë kryesorë? Së pari, adoleshentët janë pjesë e një lloj paradoksi të çuditshëm, i tillë për faktin se ata janë gjenialë në përceptimin dhe asimilimin e mesimdhënies dhe mësimnxënies, sepse sinapset e tyre janë shumë të zhvilluara, por nga ana tjetër duke qenë se ata janë duke dalë nga fëmijëria, pra janë në pragun e daljes për të kaluar më pas në të qenurit adoleshent, lobi i tyre frontal nuk është i zhvilluar plotësisht për lidhjen me pjesët e tjera të trupit.
Lobi frontal ka një vonesë në zhvillimin dhe në lidhjen me pjesët e tjera të trupit, si dhe është përgjegjës për marrjen e vendimeve, shmangien e rreziqeve, llogaritjen e pasojave, vetëpërmbajtjen, pra pjesa që nxit adoleshentët në mosbërjen e gjërave. Pjesa më e madhe e tyre nuk e kanë këtë pjesë, për këtë arsye këta tre aktorë të rëndësishëm , duhet t’ua bëjnë me dije aspektin e gjenialitetit të tyre dhe aspektin e rrezikshëm të të moskuptuarit se çdo veprim, i cili është jashtë aureolës së kontrollit ka pasoja të cilat ndikojnë në karrierë, mënyrën e te jetuarit, etj, duke ju parashtruar fakte për të kuptuar pasojat.
Një tjetër qasje, së cilës mund t’i referohemi kur marrim parasysh rrjetet sociale është edhe raporti që krijohet me gjuhën e folur, pra me sistemin e shprehjes. Gjuha është sistemi ynë kryesor i të gjithë egzistencës sonë, pra është shtëpia e qenies dhe nuk ka asgjë tjetër që del jashtë gjuhës. Pra, gjithçka që ne njohim si identitet tonin dhe të botës është vetëm fakt gjuhësor, kështu që vëmendja që duhet të kemi ndaj gjuhës nuk duhet të jetë vetëm në aspektin nacional, por duhet parë edhe si element i vetë ekzistencës sonë.
Në vijim të këtij argumenti duhet të jemi të vetëdijshem për mënyrë se si ne e përdorim gjuhën, duke u nisur nga mënyra se si ajo është e ndërtuar, kjo për faktin se gjuha në mënyrë të pandjeshme manipulohet, ndryshohet dhe tranformohet deri në atë pikë sa ajo arrin të shndërrojë edhe vetëdijen tonë, pra ne nuk arrijmë të jemi të vetëdijshëm për të kuptuar se kush është njëri apo tjetri.
Rrjetet sociale, si procese të thella teknologjike kanë ndryshuar rrënjësisht gjuhën, pavarësisht se jo detyrimisht çdo gjë që vjen nga teknologjia është a priori e gabuar ashtu siç nuk është i mirë dhe fakti që teknologjia të arrijë të na përdorë, pra të humbim vetëdijen dhe të krijojmë varësi ndaj saj. Vitet e fundit konstatojmë një lloj përmbysjeje të këtij raporti, nga ku shohim se një grup evidenton se teknologjia po sjell një qasje katastrofike kundrejt gjuhës duke ndryshuar kështu mënyren se si ne komunikojmë, por kemi edhe një grup tjetër, i cili shpreh se është një proces normal duke u nisur nga historia me shpikjen e letrës, shtypshkronjës, fotografisë, etj.
Është e rëndësishme të kuptohet se kjo situatë nuk mund të rregullohet vetvetiu, duhet që njerezit të marrin në dorë frenat e këtij fenomeni dhe të mos mjaftohen me faktin që kjo gjë do të normalizohet. Në momentin kur ne i veshim rrjeteve sociale empatinë, nga ana tjetër ne tëhuajsohemi nga njëri tjetri, pra nuk kujdesemi më se çfarë dhe si duhet të komunikojmë me tjetrin.
Rrjetet sociale në gjykimin tim do të konkretizoheshin më mirë si asociale, për faktin se këto sisteme po i mbyllin njerëzit duke i larguar nga njëri – tjetri, duke arritur në pandjeshmërine e asaj që ndodh si pasojë. A ka procese psikiatrike apo ndonjë predispozitë të përgjithshme psikologjike që i bën njerëzit e padiagnostikuar të ndjeshëm ndaj konsumimit të dhunës në media në një mënyrë që do të çonte në sjellje agresive gjatë gjithë jetës? Ekspertët diskutojnë neuroplasticitetin, menyrën se si truri ndërvepron dhe ndryshon strukturën dhe funksionalitetin nga mjedisi, dhe fut një elasticitet, që i mundëson disave që të reagojnë në mënyrë funksionale ndaj traumës dhe të tjerëve më pak. Pra, kjo sjellje do të përsëritet për aq kohë sa në mjedis dhe në shoqëri të mbizotërojë kjo frymë antisociale.
Comments