Si të lexosh lajmet si një verifikues faktesh?
- KSEMI
- Nov 23, 2024
- 5 min read

Nga Elira Çanga.
Pesë vjet më parë kur qyteti i vogël i Velezhit në Maqedoninë Veriore u kthye në qendrën botërore të “fake news”, shumëkujt në Ballkan iu duk një rastësi e çuditshme vendosja e rajonit në qendër të prodhimit të informacionit për ndikim artificial, që nuk do të zgjaste shumë, sidoqoftë.
Në atë kohë, më shumë se 100 faqe interneti u zbuluan në vendin fqinj1, ndërsa shumë të rinj nisën të fabrikonin dhe publikonin lajme të rreme sipas një plani të përcaktuar për të tërhequr vëmendjen e votuesve amerikanë e për të ndihmuar kandidatin republican asokohe Donald Trump të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Çdo klikim mbi ato lajme shtonte pagesën e tyre. Në të njëjtën kohë, krijonte një tymnajë informative për publikun amerikan dhe të gjithë botës.
Sot, të gjitha vendet e Ballkanit përballen me keqinformimin e dezinformimin, offline e online, që vjen nga të gjitha anët dhe përhapet me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Jemi thuajse të “bombarduar” nga lajmet me një cilësi që varion dhe shpesh është e vështirë të bësh diferencën mes lajmeve të rreme dhe propagandës, historive të njëanshme apo informacionit të besueshëm.
Pandemia e shkaktuar nga Covid 19 që nisi të përhapet një vit më parë na tregoi qartë se sa e brishtë është audienca kundrejt shtrembërimit të fakteve dhe lajmeve të rreme dhe se me çfarë sfidash që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e individit po përballej ajo.
Mbulimi mediatik dhe informimi i publikut gjatë një krize shëndetësore është gjithnjë një sfidë, por në kushtet e një pandemie botërore, në kohën e internetit, filtrimi I informacionit bëhet edhe më i vështirë.
Në mungesë të informacioneve të para zyrtare, përballë paqartësisë së pritshme në raste të tilla krize lajmet e para të rreme mbi kurimin, simptomat dhe mënyrat për të evituar virusin e rrezikshëm u përhapën me shpejtësi online.
Kurat për trajtimin e virusit me metoda popullore, përdorimin e alkoolit, dizinfektuesve madje edhe konsumimin e këtyre të fundit gjetën zbatim te ata individë në panik apo grupe komunitare me pak të informuara lidhur me virusin.
Pasojat ishin reale. Infodemia vetëm sa e bëri më të qartë rrezikun që vjen nga informacioni jocilësor, i pabazuar në fakte dhe burime parësore. Tashmë, frika ndaj efekteve anësore të vaksinave dhe teoritë konspirative rreth tyre po mbajnë larg vaksinimit, mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga virusi, një pjesë të publikut.
Gjatë viteve të fundit keqinformimi është përhapur online në fusha nga më të ndryshme duke u shtuar në kohë zgjedhjesh me profilet dhe deklaratat e kandidatëve politikë, duke synuar ndikimin e votuesve dhe të rezultatit të zgjedhjeve.
Me zgjedhjet parlamentare në prag dhe një fushatë elektorale, që në kushtet e pandemisë po zhvillohet kryesisht në rrjete e media sociale, nuk është e lehtë të dallosh se çfarë përbën lajm e çfarë është thjesht një takim rutinë elektoral me votuesit.
Kur vjen puna të përdorimi i burimeve dhe fondeve publike, është edhe më e vështirë të dallosh se çfarë është premtim elektoral i mbajtur dhe çfarë është detyrë e përfaqësuesit të institucionit publik. Në një përpjekje për të parandaluar abuzimin me fondet publike gjatë fushatës elektorale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në dhjetor 2020 publikoi rregullat e raportimit të aktiviteteve me karakter publik gjatë fushatës elektorale. Në shkurt 2021, KQZ ndëshkoi me masë administrative kreun e Bashkisë së Tiranës për zhvillimin e aktiviteteve të ndaluara gjatë periudhës zgjedhore. Këto aktivitete kishin lidhje me vizitat në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Lajmet nga aktivitete të tilla marrin një vlerë të veçantë në fushata elektorale. Në sytë e pastërvitur të publikut, ndryshimet mund të jenë të vogla, madje inekzistente. Bombarduar nga një “grafik i mirëpërgatitur” i aktiviteteve të kandidatëve për deputetë, shumë shpesh diskutimi për cilësinë e kandidaturave mbetet peng i konceptit naiv të prezencës dhe interaktivitetit online.
Kjo përsa kohë që syri vëzhgues i gazetarit mungon, pasi politikanët e kanë të qartë: “duam të komunikojmë direkt me publikun, gazetari në mes na e deformon mesazhin!”. Jo më larg se pak javë më parë, një politikane shqiptare deklaroi në një intervistë televizive se paga mesatare në Shqipëri është 72 000 lekë (të reja) dhe nëse forca politike që ajo përfaqëson do të fitonte zgjedhjet, kjo pagë do të rritej në 85.000 lekë. Një verifikim i thjeshtë duke marrë si bazë të dhënat e Institutit të Statistikave tregon se paga mesatare në Shqipëri është 53.000 lekë të reja. Ndërsa një analizë e hollësishme dhe realiste e buxhetit, programit elektoral si dhe e parashikimeve financiara do të tregonte nëse është e mundur që kjo pagë të rritet në nivelet e premtuara.
Publiku e sidomos brezat e rinj nuk i kanë gjithnjë mjetet e duhura për të vlerësuar lajmet apo reklamat e paketuara në formë lajmi, informacionet e manipuluara apo propagandën. Leximi është kryesisht vertikal, sipas gjuhës së alfabetizmit mediatik, pra nuk lë shteg për verifikim të burimeve apo arsyet e tyre për publikimin e informacioneve.
Bazat e gazetarisë janë në fakt ato 4-5 parime themelore që kanë gjithnjë të tilla e kjo s’ka ndryshuar: pavarësia, paanësia, interesi publik për lajmin, verifikimi i burimeve. Por, mënyra se si informohemi sot dhe si e konsumojmë informacionin që na vjen është krejt tjetër nga ajo e disa viteve apo dekadave më parë. Tashmë informacioni shpesh nuk kalon nëpër filtrin e gazetarëve, duke e lënë lexuesin/shikuesin në fatin e tij kur vjen puna të informimi cilësor.
Shërbimet apo nismat e verifikimit të fakteve janë një trend i kohës dhe marrin një rëndësi të veçantë në kohën e sotme, por jo një risi. Në media të mëdha dhe me ndikim si “New York Times”, “Washington Post”, “The Guardian” apo “Der Spiegel”, ato gjithnjë kanë ekzistuar si njësi të brendshme të verifikimit të fakteve.
Në Ballkan, ku panorama mediatike është e larmishme në shifra dhe qëllime, këto shërbime u ngritën gjatë viteve të fundit kryesisht nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile apo media të reja non-profit, në një përpjekje për të filtruar e verifikuar informacionin që i serviret publikut.
“Faktograf” në Kroaci funksionon prej gjashtë vitesh si një bashkëpunim i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë dhe organizatës së shoqërisë civile Gong. Në Bosnje-Hercegovinë, që prej vitit 2010, Instinomjer verifikon deklaratat e politikanëve dhe zyrtarëve publikë dhe që prej vitit 2017 edhe Raskrinkavanje po e bën këtë.
Kallxo.com në Kosovë prej vitesh verifikon faktet, si një projekt i përbashkët i organizatave Internews Kosova, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese dhe Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Faktoje në Shqipëri është një shërbim i krijuar në vitin 2018 dhe i vjen në ndihmë publikut të informohet bazuar mbi fakte, promovojnë transparencën dhe krijojnë mundësitë për llogaridhënien e institucioneve publike.
Gjatë një takimi në Zagreb pak vite më parë, Petar Vidov, kryeredaktor i Faktografit, tha se “presionet e politikanëve dhe njerëzve me pushtet kanë qenë të vazhdueshme, por në fund të fundit puna e gazetarit është t’u rezistojë atyre”.
Sfidat e këtyre shërbimeve sot kanë lidhje kryesisht me qëndrueshmërinë e financimit dhe pozicionimin në tregje të vogla e të deformuara mediatike. Por, puna që ato bëjnë është një e mirë publike dhe nëse ato do të arrijnë ti kalojnë këto sfida, ky do të jetë një shërbim për publikun.
A është e mjaftueshme kjo për të mbrojtur publikun nga lajmet e rreme, manipulimi e propaganda? Mendoj se jo. Për arsyen e thjeshtë se nuk mund të ketë asnjëherë aq shumë gazetarë e media sa të verifikojnë çdo informacion që shpërndahet në rrjet, i paverifikuar apo filtruar, i manipuluar apo për qëllime të caktuara.
Në këto kushte, edukimi mediatik i publikut është një domosdoshmëri dhe kjo duhet të nisë me brezat e rinj. Nëse ata nuk do të kenë mundësitë të filtrojnë vetë informacionin pra të mos besojnë lajme pa kohë e burim apo të kuptojnë nëse ka një qëllim në përhapjen e tyre, do të jetë e vështirë të krijojnë mendim analitik dhe të bëjnë zgjedhje të informuara. Akoma më keq, do të jenë strehë e lehtë e përhapjes së informacioneve të rreme, duke e zgjeruar edhe më shumë rrethin e dizinformimit.
Mënyra si i lexojmë a kuptojmë lajmet sot ka lidhje me zgjedhjet nesër, në të gjitha kuptimet, ndaj është e rëndësishme të kemi një sy vëzhgues dhe të dyshojmë përpara se të besojmë informacionin që na jepet.
Comments